Ju jeni diplomuar për letërsi. Pse erdhi “Fuqia e mendimeve” tani dhe jo më parë?
Sepse ato që shkruaja më parë më dukeshin shkarravina dhe nuk kisha guximin t’i ndaja me të tjerët. Megjithatë gjithçka ndryshoi në vitin 2012, kur jeta ime pësoi një ndryshim të madh, unë pësova ndryshim të madh. Përpara syve të mi u shpalos një jetë krejtësisht e re, një unë e re. Kjo përvojë ishte arsyeja kryesore që më dha forcën, guximin dhe vendimin për ta ndarë me të tjerët diçka aq të veçantë siç është historia ime; jo vetëm sepse doja, por unë besoja se një hap i tillë ishte i domosdoshëm. Thuajse çdo ditë ne dëgjojmë lajme të hidhura për familjarë, miq, të njohur, kolegë që preken nga ndonjë sëmundje dhe nëse shikojmë statistikat rrallëherë ndodh që ata të shërohen dhe kjo është një dukuri e frikshme. Unë doja që t’i jepja shoqërisë sonë një shpresë, ta zëvendësoja këtë frikë me dashuri, sepse pikërisht ata që kishin mposhtur sëmundjet ishin frymëzimi im më i madh, dhe i kërkoja gjithandej për të kuptuar se si, çfarë bënë ata ndryshe, çfarë mund të bëja unë ndryshe që të mposhtja sëmundjen time. Prandaj, për të ndihmuar të tjerët, duhej të ndaja me lexuesit atë që kam bërë unë, atë që bëj unë, ndryshe.
Libri pati shumë sukses. Përse lindi ideja për ta shtuar me një pjesë të dytë?
Kur vendosa ta botoja librin “Fuqia e mendimeve” në anglisht, me titullin “Dr. Mind”, e bëra me një qëllim: Nëse ky libër do të ndihmonte qoftë edhe vetëm një person, misioni im do të ishte i përmbushur. As që më shkoi ndër mend se libri do të kishte këtë sukses dhe do të shkonte dorë më dorë nga lexuesit te miqtë dhe familjarët e tyre. Unë merrja mesazhe në “Facebook” dhe “Instagram” nga e gjithë e bota, të cilët më falënderonin dhe shkruanin vlerësime në “Amazon” dhe “Goodreads”, duke e cilësuar librin tim si një ndër librat më frymëzues. Kështu kuptova edhe rëndësinë e madhe që kishte ky libër për mirëqenien e shoqërisë, por, më së shumti jam emocionuar kur pas botimit të librit në shqip filluan të më shkruanin edhe shqiptarët. Ishin aq shumë saqë nuk arrija t’u përgjigjesha të gjithëve, sado që përkushtohesha maksimalisht. Pikërisht kjo më shtyu të shkruaja dhe shtesën me ushtrimet praktike, që në mungesën time lexuesit të kenë mundësi të punojnë, të ndryshojnë dhe të lulëzojnë të pavarur. Kam zgjedhur ushtrimet që kanë funksionuar për mua, jo ato që janë vetëm teori, por ato ushtrime që më kanë ndihmuar të rigjeja veten, veten time të vërtetë, fuqinë brenda vetes për të ndryshuar dhe për të riprogramuar veten për të qenë sa më mirë.
A ka ndryshuar diçka në jetën tuaj gjatë këtyre dy viteve që libri ka qenë në treg?
Sigurisht, sepse pas botimit të librit, ashtu siç e theksova dhe më lart, kam pasur vërshime të lexuesve me probleme nga më të ndryshmet, në sytë e të cilëve unë isha shpresa e vetme që u kishte mbetur. Ishte shumë e vështirë t’i dëgjoja kur më pyesnin: “Po unë si t’ia bëj tani?” Ndonëse me aq mundësi sa kisha mundohesha t’i ndihmoja, t’i këshilloja, ishte e pamundur që ti ndaja gjithë njohuritë e mia në një telefonatë, një takim apo nëpërmjet porosive online. Pra, duhej patjetër të ulesha përsëri dhe të shkruaja gjithçka që kam bërë dhe vazhdoj të bëj. Këto ushtrime janë një portë që të shpie drejt vetes, dhe, atëherë, duke qenë i vetëdijshëm për veten, gjithçka rreth teje venitet, të gjitha hallet, problemet, sëmundjet zhbëhen. Pse? Sepse të gjithë ne kemi lindur me të drejtën e pacenueshme për të pasur mirëqenie, të cilën e kemi e humbur gjatë rrugës.
A keni takuar gjatë kësaj kohe lexues, të cilëve u ka shërbyer libri juaj si një mjet për të kaluar një vështirësi në jetën e tyre, cilado të ketë qenë ajo?
Po, kam takuar shumë lexues, dhe ka pasur edhe nga ata që kanë marrë mundimin të vijnë deri në Tetovë për të më takuar. Këta lexues janë bashkëveprimtarët e mi, janë pikërisht ata që jua rekomandojnë librin atyre që mendojnë se kanë nevojë për një të tillë. Historia ime ka frymëzuar shumë syresh, por do të veçoja disa raste të personave që kanë tejkaluar vështirësitë që i mundonin. Pasi e kanë lexuar librin, ata më kanë kontaktuar dhe duke vepruar sipas këshillave të mia kanë pasur sukses. Ata më shkruajnë vazhdimisht për sukseset e tyre dhe për të më falënderuar.